thumbnail

Çelsi ofron 30 milionë stërlina për Uejn Runin

Ka nisur ofensiva e Zhoze Murinjos për të marrë lojtarë cilësorë, duke ndjekur parimin “përça e sundo”. Menjëherë pasi Murinjo bëri të ditur se Uejn Runi do të transferohet te Çelsi, blutë e Londrës bëjnë ofertën e parë për sulmuesin anglez. 30 milionë paundë për klubin e “Djajve të kuq”, plus 50 milionë që do të shkojnë në xhepat e Uejn Runi, si pasojë e pagës që futbollisti do të përfitojë në Londër gjatë 5 viteve kontratë. Arsyeja e largimit të sulmuesit të tre luanëve nga “Old Traford” është e thjeshtë, trajneri i ri David Mojes e konsideron zgjedhje të dytë lojtarin dhe e ka bërë të qartë që ai preferon Robin Van Persi. Në këto kushte, skuadra
londineze menjëherë i është afruar Runit, madje Murinjo bëri të ditur se Çelsin dëshiron lojtarin, po aq sa dhe lojtari dëshiron Çelsin.
30 milionë paundë është oferta për Mançesterin, ndërsa kosto e kalimit të futbollistit në “Stamford Bridge” shkon në total 80 milionë paundë, pasi Runi kërkon një pagë prej 200 mijë paundë në javë, ose 10.4 milionë paundë në vit me një marrëveshje pesëvjeçare. Me “Djajtë e kuq”, sulmuesi anglez luan që prej vitit 2004 dhe ka një mesatare më të lartë se 0.5 gola për ndeshje, pasi në 278 takime ka dërguar topin në rrjetë plot 141 herë.
Tashmë pritet përgjigja nga klubi i Mançesterit, që pas Bekamit, duket se një tjetër ikonë do të largohet nga “Djajtë e kuq”. (E.Ilnica/BalkanWeb)

Subscribe by Email

Follow Updates Articles from This Blog via Email

No Comments

About